Mediat Sociale
Categories

Post Categories

Subscribe Now
Trending News
SUBSCRIBE NOW
Trending News

Postime tjera

Akuzohet EULEX’I se I mori dhe i shkatërroi afër 100 dosje të personave të zhdukur nga IML
Ekskluzive

Akuzohet EULEX’I se I mori dhe i shkatërroi afër 100 dosje të personave të zhdukur nga IML 

Një punonjës brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës është i bindur se antropologia e EULEX-it, Tarja Formisto, i ka zhdukur dhe shkatërruar dosjet e afër 100 personave të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

EULEX-i në anën tjetër konstaton se shumica e dosjeve të humbura nuk ishin të luftës së fundit, por më të kahershme. Megjithatë, një komunikim elektronik në mes të Formistos e IML-së, i siguruar nga Gazeta Online Insajderi, dëshmon të kundërtën. Ajo vetë e kishte pranuar se dosjet janë të luftës së fundit – të varrezës së Pejës. Një komision është formuar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, derisa zyrtarja e EULEX-it as nuk ka ardhur në Kosovë e as nuk po u përgjigjet mesazheve për ta sqaruar situatën. Afër 100 dosje të humbura, nënkupton afër 100 vrasje të cilave më s’mund t’u dihet autori. Çfarë ka ndodhur? Ku janë dosjet?

Ka 10 vjet që kur në Institutin për Mjekësi Ligjore kanë humbur dosjet e afër 100 personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Një komision është formuar për të gjetur çfarë ka ndodhur, por ende s’ka kurrfarë rezultati. Brenda IML-së një person po akuzon se ishte një punonjëse e EULEX-it që i ka shkatërruar dosjet qëllimisht. Nga EULEX njëherë mohuan të jenë fare në dijeni për rastin, aq më pak të jenë fajtorë për zhdukjen. Derisa qeveritë janë ndërruar ndër vite, qysh nga 2010-ta, të gjithë janë informuar se janë zhdukur dosjet, por asnjëri nuk ka arritur/mundur të bëjë gjë.

Gjithçka fillon me Arben Eminin, një punëtor i IML-së, i cili kishte kuptuar se po mungojnë afër 100 dosje.

Dosjet ishin të viktimave që ishin gjetur në varrezat masive të Pejës. Emini thotë se e ka konfirmimin edhe të arkivistes se “ato dosje janë marrë nga EULEX dhe janë shkatërruar”. Megjithatë, nuk ka treguar emrin e arkivistes.

Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, Emini thotë se ka njoftuar drejtorin e Institutit, Arsim Gërxhaliun, por që nuk di për ndonjë iniciativë konkrete nga ai.

Çfarë di Emini është se Gërxhaliu ka kërkuar një sqarim nga antropologia, Tarja Formisto, zëvendës-drejtoreshë e IML-së nga radhët e stafit të EULEX-it dhe personi që akuzohet për shkatërrimin e dosjeve, mirëpo nuk ka marrë përgjigje nga kjo e fundit që nga prilli i vitit të kaluar (2020) kur edhe e ka shprehur shqetësimin.

Këtë e ka konfirmuar për Insajderi-n edhe vetë drejtori i IML-së. Thotë se antropologen e EULEX-it e ka njoftuar me anë të e-mailit, por s’ka pranuar ndonjë sqarim për shqetësimin e tij.

Madje, Gërxhaliu shton se pas ankesës së bërë, brenda IML-së tashmë ekziston një komision në krye të së cilit është vënë antropologu, Ditor Haliti, por që si pasojë e pandemisë procesi ka ngecur.

Gërxhaliu thotë se posa të dalë raporti i komisionit, do të ndërmerren masat e duhura.

“Ekziston një ankesë… Kjo çështje është përmendur në 2010. Pas kësaj ankese kam krijuar komisionin në krye me Ditor Haliti, por për shkak të pandemisë personi i apostrofuar ende nuk është kthyer në punë. Varësisht nga raporti i komisionit do të ndërmarrim masat e duhura”, ka thënë Gërxhaliu.

Insajderi ka kontaktuar me Halitin. Ai e ka konfirmuar se ka rënë dakord që ta koordinojë procesin për ndriçimin e çështjes që lidhet me dosjet në fjalë, mirëpo ka mohuar të jetë formuar zyrtarisht komision i veçantë për këtë punë.

“Unë i kam grumbulluar të gjitha informatat e nevojshme në lidhje me këtë rast nga zyra për identifikim mjeko-ligjor, mirëpo ende nuk kam mundur të marrë informata nga ana e komponentës së EULEX-it të cilët kanë qenë të përfshirë në menaxhimin e këtyre rasteve”, ka thënë Haliti për Insajderin.

Sipas tij, arsyeja e kësaj vonese qëndron në faktin që zyrtarja e EULEX-it Formisto, e cila është përgjegjëse për këtë proces, gjendet jashtë vendit dhe nuk mund të kthehet derisa të stabilizohet situata me pandeminë COVID-19.

“Andaj derisa të mos kthehet personi i apostrofuar nuk mund të deklarohemi se cila është e vërteta lidhur me këto raste”.

“Ne shpresojmë se në pranverë ky person do të kthehet dhe do të sqarohet gjithçka rreth fatit të këtyre dosjeve”, është shprehur tutje ai.

Insajderi ka pyetur edhe Halitin për pretendimet e Eminit se dosjet i ka shkatërruar vetë EULEX-i, meqë ai po e heton rastin brenda Institutit.

Haliti ka refuzuar të përgjigjet drejtpërdrejtë në këtë pyetje. Ka kërkuar falje dhe ka thënë se “nuk mund të konfirmoj asgjë tani”.

Por, ankuesi Arben Emini insiston se EULEX-i ka pasur të drejtë ekskluzive për qasje në arkiv, “po ashtu Tarja Formisto e ka pasur të drejtën ekskluzive të ketë qasje 24-orë në arkivin e personave të zhdukur”.

Prandaj, Emini thotë që kishte kërkuar “me rastin e bartjes së kompetencave nga EULEX-i te vendorët, të bëhej inventarizimi i morgut dhe inventarizimi i arkivit që të ketë një pasqyrë të qartë se çfarë ka në morg dhe çfarë ka në arkiv, për arsye se aty ka qenë e drejtë ekskluzive e EULEX-it”.

Insajderi ka provuar të vë kontakt me antropologen Formisto. I janë dërguar asaj edhe disa pyetje. Por, nuk është kthyer prapa një përgjigje, as pas disa javësh pritje.

EULEX si institucion është përgjigjur.

Nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë fillimisht kanë mohuar të jenë në dijeni për rastin. Më pas, me një email të dytë, kanë thënë se e kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë, por kanë pasur një tregim krejtësisht të ndryshëm nga zyrtarët vendorë të IML-së.

Sipas EULEX-it, ka pretendime se disa dosje kanë humbur, por shumica prej tyre s’kanë lidhje me dosje të personave të vrarë në luftën e fundit.

“Zëvendës-shefja e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, dhe ekspertja e forenzikës nga Misioni i EULEX-it në Kosovë, Tarja Formisto, kishte pranuar një email në prill të vitit 2020, me pretendimet se disa dosje të personave të zhdukur nuk po gjenden në arkivat e Institutit. Bazuar në informacionet që ne posedojmë, shumica e atyre dosjeve të përmendura në email nuk u takojnë personave të zhdukur, por lidhen me mbetje më të vjetra që nuk janë të lidhura me konfliktin në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Gazetën Online Insajderi.

Por, deklarimi i EULEX-it se dosjet e humbura nuk janë dosje të personave të luftës së fundit në Kosovë, del të mos jetë i vërtetë.

Sipas listës që ka siguruar Insajderi nga Institutit i Mjekësisë Ligjore rastet nga varreza e Pejës janë ruajtur nën kodin “FKT17”. Dhe nga lista e dosjeve të cilat mungojnë në IML janë pikërisht dosjet me këtë kod – gjithsejtë 96 raste.

Gjithashtu, kjo vërtetohet edhe nga vetë Tarja Formisto në një komunikim elektronik me një antropolog nga Instituti të bërë me 18 shtator të vitit 2019.

Në shkëmbimin e emailave të cilin e posedon Insajderi, fillimisht Fermisto shkruan se “dy-tre çanta me eshtra që kanë kodin FKT 17 janë mbetje të mbledhura nga varreza e Mitrovicës në vitin 2004 dhe janë eshtra të vjetër”.

Related posts

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2021 Portali GazetaKosovare. Web has been designed by BeamWebsite